Piramida e Madhe, si “rekord universal” i Keopsit!

S. Guraziu – Ars Poetica, Maj 2019

(piramida e Keopsit do ishte 146 m e lartë, do përbëhej nga 2.3 milionë blloqe guri, secili 2.5 tonë i rëndë. Nëse ndërtimi do zgjaste 20 vjet, 12 nga ato blloqe duhej të vendoseshin në “vendin e vet”, secilën orë)

Keopsi padyshim e mban rekordin sa i përket “varrit më të madh për vete”. Egjiptasit e lashtë besonin, ose i shihnin faraonët si rimishërim i zotit Horus, piramida (ai grumbull i madh gurësh me majën kah qielli) ishte diç si “lidhje” e prekshme mes botës tokësore dhe asaj hyjnore. Mirëpo kishte ca “rregulla” që duhej ndjekur strikt për të funksionuar “lidhja me hyjnoren”, piramida + rregullat ishin dmth. një lloj mjeti kompleks për ta arritur të përtejmen, pavdeksinë, kontaktin me hyjnoren.

Historianët thonë se piramidat nuk u ndërtuan nga skllevërit, por nga punëtorët e lirë (anise unë nuk “pajtohem” dhe aq me këtë pohim, pasi varet dhe si definohen “skllevërit” : ) Thuhet se punëtorët punonin tetë ditë radhazi dhe pastaj kishin dy ditë pushim. Po ashtu thuhet se ata paguheshin relativisht mirë (pagesë me grurë, drithra apo dhe me ndonjë diç tjetër). Mirëpo ishte dhe nder i madh të ndihmohej faraoni, të ndihmohej dmth. arritja e tij në qiell.

Kur faraoni Snefru do vinte në fronin e Egjiptit, do lulëzonte një epokë e bujshme në shumë drejtime, do vinte një epokë e pasurisë dhe e përparimeve, Epoka e Artë. Në fakt, historianët e shohin atë si themeluesin e Dinastisë IV. Snefru (ose Snofru, 2613-2589 p.e.s.) ishte pra faraoni i parë i Dinastisë së IV-të. Ai qe marrë me ndërtimin e 3 piramidave, por meqë përvoja mungonte në ndërtimin e tyre, piramidat o do shembeshin (për shkak të “jobalansit” adekuat të peshës) o faraoni s’do ishte i kënaqur me 2 të parat, dhe kështu i qe përveshur punës për të 3-ten. Më në fund, e treta (e vërteta) do ishte pakashumë sipas qejfit të tij, dhe 105 m e lartë. Imagjino çfarë barre e rëndë për popullin… 3 piramida, tre varre deri sa nuk qe arritur “kënaqja” e faraonit!

Pas faraonit Snefru, në fron do vinte i biri i tij Keopsi (2589-2566 p.e.s.). Ky sikur me çdo kusht donte t’ia tejkalonte babait. S’i pëlqente fare të ishte ashtu nën “hijen” e tij, andaj do ta ndërtonte piramidën më të madhe, në vendin e zgjedhur me kujdes, në Giza. Nën sundimin e Keopsit (thonë historianët) Egjipti i kishte rreth 1.6 milion banorë, ndërtimi i piramidës së tij për vite me radhë i mbajti dhjetra mijëra njerëz të “zënë me punë”.

Piramida e tij do ishte 146 m e lartë, do përbëhej nga 2.3 milionë blloqe guri, secili 2.5 tonë i rëndë. Nëse ndërtimi do zgjaste 20 vjet, 12 nga ato blloqe duhej të vendoseshin në “vendin e vet”, secilën orë. Shumica e atyre blloqeve vinin nga guroret lokale në Giza, ku rreth 1000 blloqe do “shkëputeshin” çdo ditë nga shkëmbi me daltat, me muskujt e me djersën e mijëra punëtorëve. Përafërsisht 100.000 blloqe të bardhë (për veshjen e piramides) do t’vinin nga Turah nëpër Nil. Sarkofagu dhe dhoma e varrimit të Keopsit do bëheshin nga blloqe prej graniti të kuq, ardhur nëpërmjet Nilit nga 900 km larg, nga jugu i Egjiptit.

Pas Keopsit do vinte faraoni Kefren (2558-2532 p.e.s.), ky do ta ndërtonte piramidën e dytë për nga madhësia në Giza, pothuaj po aq e lartë sa ajo e babait Keops. Piramdida e tij do ishte 143.5 m e lartë.
Mirëpo as i biri (i cili mbase qëllimisht s’ka dashur t’ia kalonte të atit) dhe askush nga dinastitë e mëpastajme të Egjiptit s’ka ndërtuar piramidë më të madhe se Keopsi. Historianët japin lloj-lloj “sqarime se përse s’qe tejkaluar” Keopsi. Gjithsesi, është fakt që Egjipti i lashtë mund të konsiderohet kapitulli më “interesant” në historinë e njerëzimit. Nga 7 mrekullitë (origjinale) të botës piramida e Keopsit ishte objekti më i vjetër dhe më i madhi. Me shekuj të impenjuar, por as sot e kësaj dite ekspertët shumë gjëra s’i kanë të qarta rreth “ndërtimit” të piramidave…

[ grafika “thotë” se Keopsi, dora vetë, është duke i përcjellur punët rreth piramidës madhështore ]

Referencat:
– Mark Lehner: The Complete Pyramids, Thames & Hudson Ltd., 1997
– Craig B. Smith: How the Great Pyramid Was Built, Smithsonian Books, 2004
– Historianet, NL
– Aidan Dodson – Monarchs of the Nile, 1995